Darkë dhe dhurata, atmosferë miqësore para ndeshjes Kosovë-Zvicër
Në prag të ndeshjes së fundit të Grupit B në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, Kosovë – Zvicër, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka shtruar darkë miqësore për homologun e tij zvicëran, Peter Knäbel dhe bashkëpunëtorët e tij.
Përmes një postimi, Ademi ka shkruar se gjatë darkës ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që i ka dhënë vendit tonë ndër dekada, si dhe për integrimin shembullor të bashkatdhetarëve tanë në Zvicër, raporton IndeksOnline.
Postimi i plotë:
Në prag të ndeshjes së fundit të Grupit B në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, Kosovë – Zvicër, pata kënaqësinë të mirëpres në një darkë miqësore homologun tim nga Federata e Futbollit të Zvicrës, Peter Knäbel, me bashkëpunëtorët e tij, mikun tonë nga UEFA, Thierry Favre, si dhe delegatin e ndeshjes nga Belgjika, Frederic Veraghaenne.
Gjatë darkës shpreha mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që i ka dhënë vendit tonë ndër dekada, si dhe për integrimin shembullor të bashkatdhetarëve tanë në Zvicër.
Theksova se Zvicra mbetet një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës në çdo drejtim, ndërsa lidhja jonë me mërgatën atje është e veçantë, emocionale dhe jashtëzakonisht e fortë.
Në përmbyllje të darkës, shkëmbyem dhurata simbolike dhe uruam që ndeshja e nesërme të sjellë një spektakël të vërtetë futbolli. Pavarësisht rezultatit, partneriteti ynë si federata mike do të vazhdojë të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.
🇽🇰⚽️🇨🇭

