75 Mall Live Search
21:47 / E Shtunë, 12 Korrik 2025 / Gj. Sh

DASH-i njofton shkarkime masive nga puna, pas vendimit të Gjykatës Supreme

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve (DASH) ka njoftuar se qindra punonjës do të pushohen nga puna në ditët në vijim, pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, e cila i jep administratës Trump dritën jeshile për të vijuar me shkurtimet masive në agjencitë federale.

Vendimi vjen si pjesë e planit të presidentit Donald Trump, të shpallur fillimisht në prill nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, që synon të shkurtojë rreth 15% të fuqisë punëtore të DASH. Zëdhënësja e departamentit, Tammy Bruce, tha se këto masa synojnë ta bëjnë DASH-in “më të efektshëm dhe më të shpejtë”.

“Kur një strukturë është shumë e madhe për të funksionuar dhe shumë burokratike për të vepruar me efikasitet, ajo ka nevojë për ndryshim”, tha Bruce.

Shkurtimet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Shtëpisë së Bardhë, nën drejtimin e Elon Musk në rolin e koordinatorit të riorganizimit të administratës, për të eliminuar dhjetëra mijëra vende pune në qeverinë federale, me qëllim luftimin e “shpërdorimit, mashtrimit dhe abuzimit”.

Sipas një zyrtari të lartë të DASH-it, largimet nga puna nuk do të bazohen në performancën individuale, por do të prekin “funksione dhe zyra të cilat janë identifikuar si të tepërta ose në mospërputhje me agjendën e re”. Rreth 1,800 punonjës pritet të preken, pa llogaritur mbi 1,000 të tjerë që janë larguar vullnetarisht.

Zyrtarët kanë konfirmuar se stafi diplomatik jashtë vendit nuk do të preket për momentin, ndërsa procesi i riorganizimit do të përqendrohet fillimisht në praninë e brendshme të departamentit.

Zëvendëssekretari për Menaxhimin dhe Burimet, Michael Rigas, u shpreh në një komunikim zyrtar se janë bërë përpjekje për të mbështetur punonjësit e prekur dhe falënderoi stafin për përkushtimin e tyre ndaj misionit diplomatik të SHBA-ve.

Ndërkohë, kritikët e administratës Trump e kanë dënuar këtë veprim si një goditje për sigurinë kombëtare, shëndetin global dhe interesat ndërkombëtare të SHBA, duke paralajmëruar pasoja të rënda për funksionimin e politikës së jashtme amerikane.