75 Mall Live Search
09:47 / E Enjte, 12 Qershor 2025 / S Z

DASH-i pas ujdisë për pranim të migrantëve të dëbuar nga SHBA-ja: Jemi falënderues ndaj partnerit tonë Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend, të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës  do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme. Vendimi është miratuar dje në Qeverinë e Kosovës.

DASH-i këtë vendim se ka cilësuar si një bashkëpunim të rëndësishëm për prioritetet e administratës së presidentit Trump.

“Jemi mirënjohës ndaj partnerit tonë Kosovë për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre personave në vendet e tyre të origjinës”, thuhet në deklaratën e DASH-it për CBS News.

Detajet e plota se cilët persona do të dërgohen në Kosovë dhe nga cilat vende vijnë ata, mbeten ende të paqarta. Sidoqoftë, SHBA-ja zakonisht përdor marrëveshje të tilla me vende të treta për të deportuar migrantë të cilët nuk mund të kthehen në vendet e tyre për shkak të mosbashkëpunimit diplomatik ose arsyeve të tjera të sigurisë.

Autoritetet kosovare do të kenë të drejtën të zgjedhin personat nga një listë e propozuar, duke marrë parasysh kritere të lidhura me sundimin e ligjit dhe rendin publik.