75 Mall Live Search
20:08 / E Diele, 13 Korrik 2025 / Burim

DASH nuk po dërgon më yjet: A po zbret Kosova nga axhenda amerikane?

Shkruan: Fadil Maloku

Vizita e zyrtarit amerikan Brendan Hanrahan në Prishtinë, larg profilit të lartë të diplomacisë amerikane më shumë reflektoj një ulje simbolike të interesit strategjik të SHBA-së për Kosovën, sesa një ndonjë rikthim të vëmendjes. Se a ishte kjo një qasje e re pragmatike në kuadër të “kaosit të kontrolluar” apo ishte një sinjal serioz për një krizë legjitimiteti në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës mund të kuptohet përmes një analize serioze sociologjke, diplomatike e të komunikimi publik politik. Themi kështu për shkakun se administrata e Donald Trumpit duke pasur parasysh modelin e njohur të “kaosi i kontrolluar”, është kah e zhvillon një diplomaci shumë më atipike, më aktive, e shumë më agresive se ajo Bajden.

_____

Shikuar nga dioptria sociologjike, dilema që na shqetëson më së shumti nga kjo vizitë lidhet me pyetjen: A ishte kjo një shenjë normalizimi apo një shenjë izolimi e maskuar përmes diplomacisë? Në optikën dhe kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare po edhe të legjitimitetit institucional, vizitat e zyrtarëve të lartë të një superfuqie si SHBA-ja gjithnjë janë shenja domethënëse jo vetëm për raportet e ndërsjella të besimit reciprok, por edhe indicie e dëshmi serioze për (ri)ngritjen e nivelit të koordinimit dhe vazhdimit të gradimit të afërsisë strategjike me ata që vizitohen.Në këtë kuptim, prania e një zyrtari të rangut të mesëm si Brendan Hanrahan (jo të profilit të lartë si Escobar, Chollet apo Blinken), vështirë se mund të interpretohet si një “vizitë e madhe” apo ekskluzive për Kosovën. Meqë kjo vizitë erdhi  pas një periudhe të gjatë të heshtjes diplomatike nga ana e DASH-it, ajo mund të interpretohet edhe si; një tentativë për rivendosje kontakti me interesat aktuale amerikane, apo si; një rindërtim e gradim më fleksibil, më pragmatik e më praktik i qasjes së administratës Trump. Natyrisht, takimi me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, jam i bindur se ka “prodhuar” edhe tone testuese (pa thënë kërcënuese, sepse ky nivel diplomatik nuk përçon mesazhe të kësaj natyre!) e ndoshta edhe tone provokuese – me qëllim që të maten, me peshoren e argjendarit, pikëtakimet e interesave dypalëshe dhe ato rajonale, në aktualitetin që po përjeton paqartësi të mëdha gjeopolitike.

______

Optika sociologjike na kujton se kjo përpjekje e re për të futur Kosovën në kornizën e “kaosit të kontrolluar”, nënkupton se SHBA-ja, ndonëse nuk e ndërpret tërësisht lidhjen me Kosovën, ajo si duket as nuk e ka më interesimin dhe kapacitetin afirmues si të viteve ’90. Nëse, dioptria simbolike e sociologjisë politike vizitave të tilla u jep më shumë rëndësi figurave që përfaqësojnë shtetin, sesa strukturës protokollare apo hierarkisë në komunikimet diplomatike, atëherë kuptojmë se kjo vizitë ishte  një lloj “dekadence simbolike”, në raport me vizitat e së kaluarës që bëheshin Kosoves: nga Biden, Clinton, Albright, Kerry, Escobar, Gabriel Escobar, Grenell, etj. Kjo rënie simbolike në përfaqësim reflekton gjithashtu një ulje të prioritetit të Kosovës në agjendën strategjike të SHBA-së. Një ulje që dikur supozohej, apo të paktën shpresohej, se nuk do të ndodhte kaq shpejt! Një shpjegim i mundshëm për këtë ulje do të mund të lidhej me:

• Këmbënguljen apo “barrikadimin” e Qeverisë Kurti, kur janë në pyetje çështja e refuzimit të zbatimit të Marrëveshjeve (2013/2015) për Asociacionin që konsiderohet si një “gangrenë” politike për sovranitetin  e Kosovës;

• Mungesën e një rezultati konkret e të prekshëm në Marrëveshjen e Ohrit dhe në procesin e negociatave me Serbinë;

• Ristrukturimin e interesave amerikane në Ballkan, ku Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – ndoshta edhe për shkak të lobimeve më të organizuara – po trajtohen si më “lojale”, në një kohë kur lobi shqiptaro-amerikan është në defansivë absurde;

Shikuar nga këndvështrimi i perceptimit publik dhe ai i ndjeshmërisë kolektive, opinioni kosovar tradicionalisht ka ruajtur me xhelozi të theksuar (e ndonjëherë irracionale!) ndjeshmërinë ndaj SHBA-së si aleate historike. Dhe se mungesa e përfshirjes së drejtpërdrejtë të emrave të njohur të DASH-it mund të krijojë si;

• ndjesinë e zhgënjimit të heshtur, ashtu edhe

• përjetimin e një izolimi të padeklaruar publikisht, por, që reflektohet si “ftohje diplomatike”.

Sociologjikisht ky lloj perceptimi apo ndjeshmërie do mund të shpjegohej përmes fenomenit të njohur si sindroma e zbrazjes së besimit. Që zakonisht ushtrohet në ato ambiente kur simbolet që mbështesin legjitimitetin ndërkombëtar, zbehën apo zëvendësohen me qëndrime të buta neutrale e ndonjéherë edhe  injoruese! Suma sumarim, takimin Kurti–Hanrahan duhet parë më shumë si tentativë për ruajtjen e “korespondencés” minimale të komunikimit me SHBA-në, sesa si njé tregues i përmirësimit të marrëdhënieve. Ky takim poashtu mund të sinjalizojë edhe një lloj krizë të legjitimitetit ndërkombëtar të Qeverisë së Kosovës. Madje mund té thuhet se ky takim ka bartur edhe një porosi të heshtur për publikun kosovar: se koha e mbështetjes së pakushtëzuar amerikane ka kaluar, dhe se tashmë – në kontekstin e “kaosit të kontrolluar” – është koha për një qasje më realiste, më të koordinuar dhe më të përgjegjshme me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë atmosferé kaq konfuze, vetëm një diplomaci e shkathët, ofensive, pragmatike dhe praktike mund t’i (ri) afirmoj si interesat shtetërore ashtu edhe ato kombëtare. E kjo bëhet vetëm me një (ri)lobim afatgjatë né Kongres dhe në DASH…

Sociologjikisht ky lloj perceptimi apo ndjeshmërie do mund të shpjegohej përmes fenomenit të njohur si sindroma e zbrazjes së besimit. Që zakonisht ushtrohet në ato ambiente kur simbolet që mbështesin legjitimitetin ndërkombëtar, zbehën apo zëvendësohen me qëndrime të buta neutrale e ndonjéherë edhe  injoruese!