75 Mall Live Search
17:22 / E Enjte, 18 Prill 2024 / FR

DASH thirrje autoriteteve serbe për transparencë: Arrestimi i policëve të Kosovës përshkallëzon situatën

Nga orët e para të së mërkurës, mbi 300 qytetarë të Kosovës ishin bllokuar në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë. Në mesin e tyre ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili vazhdon të mbahet nga shteti serb.

Për këtë çështje ka reaguar sot Departamenti amerikan i Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për situatën dhe ne po e monitorojmë atë nga afër. Të gjitha palët duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në lidhje me këdo të ndaluar, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë dhe respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe të procedojnë çdo rast sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ndalimet arbitrare ose të padrejta të gjata, veçanërisht nëse synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin. Shpresojmë për lirimin e menjëhershëm të oficerit të mbetur të Policisë së Kosovës, i cili është ende i ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Reporterin.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar se ajo që ndodhi dje është shkelje e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, derisa i ka bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

“Ritheksojmë se marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur si pjesë e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ofron parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe nga Serbia”.

“Siç ka vënë në dukje edhe Bashkimi Evropian, vonesat si ato që ndodhën së fundmi paraqesin shkelje të kësaj marrëveshjeje. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Jankoviq që vjen nga komuna e Shtërpcës ishte bashkë me zyrtarë të tjerë policorë të cilët u liruan dhe dje dhe sot, përpos tij, i cili u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

Ndryshe, Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.