75 Mall Live Search
11:40 / E Hënë, 31 Janar 2022 / B O

Dashni e kahmotshme, LDK-PDK gati për një “kurorëzim” të radhës në Istog

Istogu pritet të vazhdojë edhe 4 vite me koalicionin e njëjt, LDK-PDK. Një takim i ndodhur mbrëmë ka afruar marrëveshjen mes dy palëve dhe pritet vetëm konkretizimi.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se takimi që ka zgjatur disa orë mbrëmë ka dhënë rezultate dhe se kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për të nënshkruar marrëveshjen qeverisëse lokale në Istog.

Opsioni kryesor i marrëveshjes mes LDK-së e PDK-së në Istog është shkarkimi i kryesueses aktuale, Fjolla Ukaj.

Një muaj pasi asambleistët e PDK-së në Istog votuan pro kryesueses si përfaqëesuese opozitare, të njëjtit pritet të votojnë shkarkimin e saj.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se PDK nga marrëveshja me LDK-në do të marr nënkryetarin dhe tri drejtori. Kryesuesi i ri pritet ti takojë LDK-së.

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati është kontaktuar nga Indeksonline lidhur me këtë situatë.

Ai ka konfirmuar takimin e radhës të LDK-së e PDK-së gjatë kësaj jave.

I pyetur rreth shkarkimit të mundshëm të kryesueses aktuale, kryetari Ferati s’e ka përjashtuar si opsion.

“Ky është proces i cili prapë duhet me u diskutu me partnerët e mundshëm të koalicionit. Shumica i kanë zgjedhur kryesuesit e rinj” ka thënë Ilir Ferati për Indeksonline.