75 Mall Live Search
22:48 / E Martë, 27 Janar 2026 / Gj Sh

“Dashuria e parë nuk harrohet”, Mirlind Daku viziton Llapin në Antalya

Pavarësisht se tashmë luan te gjiganti rus, Rubin Kazan, Mirlind Daku nuk e ka harruar skuadrën ku filloi shkëlqimin e tij si futbollist.

Ai sot ka vizituar KF Llapin në Antalya të Turqisë, aty ku po bëjnë fazën përgatitore para sezonit pranveror, shkruan IndeksOnline.

Daku ka tetë vite që kur është larguar nga skuadra e Llapit, por ka mbajtur lidhjen me trajnerin Tahir Batatina, i cili e promovoi si futbollist.

Njoftimi i plotë nga Llapi:

Reprezentuesi i Kombëtares Shqiptare dhe sulmuesi i Rubin Kazan, Mirlind Daku, ka vizituar KF Llapin gjatë fazës përgatitore që po zhvillohet në Antalya, duke rikthyer edhe një herë lidhjen e veçantë që e bashkon me klubin tonë.

Pavarësisht se kanë kaluar tetë vite nga largimi i tij nga Llapi, kur u transferua te Osijek, Daku vazhdon të ruajë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të shëndosha me kryetrajnerin Tahir Batatina, si dhe me ish-bashkëlojtarët, duke dëshmuar respektin që ka për klubin tonë.

Respekti dhe vlerat që Mirlind Daku shfaq ndaj klubit na bëjnë veçanërisht të kënaqur dhe krenarë që kemi pasur pjesë të familjes sonë një futbollist që nuk kurseu asgjë nga vetja sa herë që mbrojti me përkushtim ngjyrat tona. Për kontributin, karakterin dhe profesionalizmin e tij, Mirlind Daku mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së klubit.

KF Llapi i uron Mirlind Dakut suksese të vazhdueshme dhe arritje sa më të mëdha në vazhdim të karrierës së tij profesionale./IndeksOnline/