Daut Haradinaj del në mbrojtje të gazetarit Kushtrim Sadiku pas reagimeve për reportazhin mbi luftën në Izrael
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i ka dalë në mbrojtje gazetarit Kushtrim Sadiku, pas reagimeve dhe sulmeve që ky i fundit ka marrë lidhur me një reportazh për luftën në Izrael.
Përmes një postimi publik, Haradinaj ka vlerësuar lart profesionalizmin dhe integritetin e Sadikut, duke theksuar se ai është një gazetar me përvojë shumëvjeçare dhe me etikë të lartë pune.
“Kushtrim Sadiku, përpos që është një gazetar profesionist i dëshmuar tashmë prej shumë vitesh, është edhe një djalë i jashtëzakonshëm, i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj rrethit të tij”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se prezenca e tij në skenën mediale përbën vlerë të shtuar për publikun.
Sipas deputetit të AAK-së, Sadiku ka rrezikuar shpeshherë për të sjellë në dritë fakte dhe të vërteta, por sfida të tilla nuk i trembin gazetarët me integritet dhe etikë profesionale.
Haradinaj ka bërë thirrje që çdo tentativë për frikësim apo kërcënim ndaj gazetarëve të trajtohet urgjentisht nga organet e drejtësisë.
“Ne kemi ndërtuar një shtet të lirë dhe demokratik, ku fjala dhe mendimi i lirë janë të drejta themelore, e mbi të gjitha gazetaria e lirë dhe e pacenueshme”, ka përfunduar ai.

