15:48 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Daut Haradinaj komenton ndarjen e mundshme të Kosovës, thotë se mund të ketë pasoja të mëdha

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj e ka komentuar temën e ditëve të fundit për bisedimet me Serbinë dhe ndarjen si opsion të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se territoret duhet të mbesin të tilla, dhe se çdo opsion tjetër do të jetë me pasoja të paparashikueshme.

“Nëse e keni kërku Kosovën multietnike dhe me „diskriminim pozitiv“ për serbët e Kosovës , kurse ne- shumica shqiptare ua kemi pranu, tash ideja për ndarje është vetëm fillimi i shkatërrimit të krejt asaj që u ndërtu qe gati dy dekada. Serbët tash 19 vjet janë mundu në forma të ndryshme me kriju mvetësi për Kisha e Manastire, enklava të vogla e vendbanime puro serbe në krejt territorin e Kosovës.

Sot, pas krejt këtyre viteve pa asnjë shqetësim po mundohen t‘i harrojnë ato. Por kjo nuk është e tëra: shqiptarët në rajon me të drejtë do të kerkojnë bashkimin e territoreve me Shqipërinë, territore të shpërndara në Republika të ish- Jugosllavisë, e kjo nënkupton , hapjen e kutisë së Pandorës , që me automatizëm nis mundesinë e konflikteve të reja në rajon.
Pra Serbia nuk është që shqetësohet për qytetarët e saj sa është e interesuar të përvetësojë maksimumin e territoreve shqiptare, ndërsa shqiptarët edhe njëherë në emër të „paqes dhe pajtimit“ do të humbnin pjesë vitale të tyre: territorin, ujin, minierat dhe mineralet.

Një pretendim fallco se Serbia do jetë me Evropën duke mohu lirinë themelore të qytetarëve të saj , kujtojmë popullin Shqiptar ne Luginë dhe Vojvodinë , s‘mundet të sillet ndryshe pos si një grabitqare!
Në këtë rast, ne duhet vendosmërisht të kërkojmë të drejta për shqiptarët e Luginës aq sa u ofrohen qytetarëve serbë ne Veri të Kosovës. Territoret të mbesin si të tilla me koncept vizion por edhe rrugë e orientim euro- atlantik.
Çdo gjë që shkon kundër kësaj do të jetë me pasoja të paparashikueshme” ka thënë Haradinaj./Indeksonline/