20:25 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / Blerim

Daut Haradinaj: Nuk hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive të eshtrave të shqiptarëve të masakruar

Deputeti i AAK-së ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se nuk presin të ndiejnë dhembshuri nga krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviqit.

“Ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin, por presim pranim e kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.

Isha luftëtari i dalluar i UÇK në Dukagjin, ka thënë se pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.

“Andaj veprimi i Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiq dhe të tjerëve në Republikën e Kosovës është i drejtë dhe ne e përkrahim fuqishëm”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate.