75 Mall Live Search
08:14 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / MSH

Daut Haradinaj tregon se cili emër do t’ishte i pranueshëm për kryeparlamentar

Pse emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare është i papranueshëm për partitë opozitare, kë e sheh Daut Haradinaj si zgjidhje më të pranueshme nga Vetëvendosje dhe a ka shpresë që bllokada institucionale të zgjidhet përmes takimit të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani?

Për këto çështje, deputeti i betuar i AAK-së Daut Haradinaj, ka folur mbrëmë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Haradinaj, deklaroi se kryeministri i dorëhequr Albin Kurti, duhet ta pranojë se nuk e ka shumicën për të formuar institucionet dhe të kërkojë ndihmë nga subjektet e tjera politike.

Ai kritikoi qasjen e Kurtit, duke thënë se në vend të ngulmimit për Albulena Haxhiun si kryetare të kuvendit, VV-ja duhet të propozojë emra më të pranueshëm për opozitën, si Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi.

“Oferta ka qenë shumë e sinqertë, që nëse zgjidhet Bogujevci ose Selimi, vota ime është për. Nëse Albin Kurtit i duket më e rëndësishme Albulena Haxhiu sesa Kosova, parlamenti apo qeveria, le të vazhdojë kështu”, ka thënë Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.

Ai e përjashtoi mundësinë që VV-ja të zvarritë procesin pafundësisht pa dialog: “Ky zotëria duhet të kuptojë se mazhoranca nuk është vetëm për qeverinë, por edhe për krijimin e institucioneve. Nëse nuk e ka, le të kërkojë ndihmë”.

Ndërkohë, Haradinaj komentoi edhe takimin e paralajmëruar të liderëve politikë me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se, edhe pse juridikisht ajo nuk ka rol në këtë proces, prania e saj mund të ndihmojë në lehtësimin e një zgjidhjeje politike.

“Partitë tashmë kanë një ftesë në tavolinë nga presidentja. Besoj se nëse ka vullnet politik, zgjidhja do të dalë pikërisht nga ai takim”, është shprehur Haradinaj.