Daut Mehmeti dhe Arbnor Rifati dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në tri liga të ndryshme

Dy të dyshuar, Daut Mehmeti dhe Arbnor Rifati, janë arrestuar sot nga Krimet Ekonomike nën dyshimin se të njëjtit kanë kurdisur ndeshje basketbolli, pohojnë burime të Indeksonline.
Në kontrollat e kryera në dy lokacione të ndryshme, Prishtinë dhe Prizren, janë kërkuar dëshmi shtesë për dyshimin në lidhje me vepren penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’.
Mehmeti, refer me licencë ndërkombëtare për basketboll, dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprime këto të kryera në bashkëveprim me trajnerin Rifati.
“Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit” thuhet në njoftimin policor.
Pas intervistimit, si Daut Mehmeti, ashti edhe Arbnor Rifati, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.