75 Mall Live Search
13:08 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / Gj. Sh

De Biasi: Adnan Januzaj dhe babai i tij nuk mu përgjigjën kurrë

I mblodhi futbollistët shqiptarë nga e gjithë Evropa dhe e reformoi një kombëtare të pashpresë. Në prag të sfidës ndaj Spanjës, gazeta spanjolle ‘AS’ i ka thurur lavde ish-selektorit të kombëtares shqiptare, Gianni De Biasit. 

“Filozofia ime është të përpiqem të thjeshtoj të komplikuarën. Çelësi i vërtetë është vullneti dhe ka vetëm dy sekrete: punoni dhe besoni”. Këto janë fjalët e Gianni de Biasit në një intervistë për të përditshmen spanjolle ‘AS’.

Puna e tij e madhe si trajner i Shqipërisë, diçka për të cilën në atë vend konsiderohet pothuajse si një zot, ka të bëjë shumë më tepër me praktikën, shkruan sot gazeta sportive nga Madridi.

De Biasi, i cili më parë kishte drejtuar Levanten dhe më pas Alaveshin në Spanjë, bëri më shumë se 70 udhëtime nëpër Evropë për të zbuluar dhe bindur futbollistë me origjinë shqiptare.

Dhe të gjitha, me nevojën e vetme për të rindërtuar një ekip që ishte rrënuar për shumë vite, pa asnjë shpresë për t’u kualifikuar ndonjëherë në një kompeticion të madh në historinë e tij. Gianni e arriti atë në 2016: luajti në Evropianin në Francë.

“Në disa raste po, ishte si të shikoje fëmijën tënd të rritet. Dhe Shqipëria është rritur shumë. Atëherë nuk kishte pothuajse asnjë futbollist në kategoritë e para, shumë prej tyre vinin nga ligat e vogla. Sot shoh formacionin dhe janë gjashtë apo shtatë që luajnë në Serinë A italiane, të tjerë në La Ligën spanjolle, në Bundesligë dhe madje edhe në Premier Ligë…”

Mrekullia e tij kishte shumë shkencë. Bëhej fjalë për lokalizimin e futbollistëve me prindër apo gjyshër shqiptarë që jetonin në Evropë.

Por, një refuzim i ka ngelur ende në mendje De Biasit. Është Adnan Januzaj.

“Shumë prej këtyre shqiptarëve nuk ishin të njohur për Federatën, madje nuk konsideroheshin as emigrantë. Kam bindur futbollistë nga shumë vende. Një që nuk ia dola? Ishin disa. Nuk ia arrita me Adnan Januzajn, i cili tani është te Sevilla. Ai nuk më është përgjigjur kurrë, as babai i tij. Më pas Januzaj luajti me Belgjikën, por shumë pak”.

Trajneri italian ka vizituar këtë Euro për të parë Shqipërinë dhe do t’i inkurajojë edhe kundër Spanjës në Dyzeldorf: “Ata do të japin 101 për qind. Ata kanë cilësi në mesfushë, sepse Bajrami, Ramadani apo Asllani, ai i Interit, janë të rinj dhe mund të bëjnë gjëra të mira. Është grupi më i keq në të cilin mund të ketë rënë.

Kur ra shorti i grupit të kualifikueseve për Evropian, i thashë Dukës: “President, je shumë me fat, do të shkoni si të parët apo të dytët. Dhe kaluan si të parët me të njëjtat pikë si Çekia”.

Aventura e fundit e De Biasit ishte si trajner në Azerbajxhan. Aty shpresonin se do të arrinte një tjetër sukses si ai i Shqipërisë, por…

“Në Azerbajxhan ishte shumë e vështirë të bëje të njëjtën gjë, por nuk kishte të njëjtin material apo durim. Dhe unë fitova pesë ndeshje shumë shpejtë. Dhe kundër skuadrave që kishin më shumë kualitet se ne”.