75 Mall Live Search
11:50 / E Hënë, 15 Shkurt 2021 / C E

De Laurentiis konfirmoi Gattuson para ndeshjes me Juven, tani shpresohet kthesa

Një penallti e fituar nga Amir Rrahmani dhe e shndërruar në gol nga kapiteni Lorenzo Insigne, i dha tre pikët Napolit në sfidën me Juventusin dhe riktheu qetësinë në një ambient të turbulluar së shumti javët e fundit.

Disa rezultate negative të papritura kishin trazuar ambientin te Napoli, me Gattuson që kishte sulmuar jo vetëm mediat për kritikat e shumta, por edhe presidentin De Laurentiis, që nuk po i dilte aspak në krah.

Megjithatë numri një i klubit napolitan bëri një gjest për t’u vlerësuar para ndeshjes me bardhezinjtë, pasi siç raportojnë mediat në Itali, kishte zbritur në dhomat e zhveshjes për të konfirmuar trajnerin Gattuso, pavarësisht rezultatit.

Mesazhi i presidentit ishte i qartë për të gjithë, se Gattuso do të vijonte të qëndronte në pankinë edhe nëse Napoli do të humbte ndeshjen me Juventusin, ndërsa tani të kaltrit shpresojnë që ndeshja me bardhezinjtë të shërbejë për të ngritur moralin deri në fund të sezonit.

Megjithatë pavarësisht konfirmimit, trajneri Gattuso nuk ka marrë ofertë për të rinovuar kontratën që skadon në fund të sezonit, ndaj gjasat janë që në muajin maj ta mbyllë me skuadrën në pronësi të Aurelio De Laurentiis.