75 Mall Live Search
19:56 / E Hënë, 30 Korrik 2018 / indeksADMonline

Debati në Kuvend, AAK e Nisma përplasen me VV-në

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka devijuar nga debati mbi propozimin e PSD-së mbi dialogun me Serbinë dhe është shndërruar në replika dhe kundër replika të ashpra të deputetëve.

Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar që të mos dilet nga tema, por të diskutohet propozimi për rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë në Bruksel, duke thënë se në këtë seancë po prezantohen edhe pika nga partitë e tjera, andaj duhet bërë harmonizimi i pikave të kësaj rezolute.

Ndërsa, Teuta Haxhiu nga AAK ka pyetur LDK-në nëse e ka zgjedhur Hashim Thaçin për president. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Lirie Kajtazi nga LDK-ja, e cila ka pyetur AAK-në se çfarë ka bërë me mbi 200 mijë nënshkrimet e qytetarëve kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Drita Millaku nga VV-ja ka thënë se platforma e presidentit Hashim Thaçit për dialogun ka dështuar dhe nuk ka pasur zgjidhje, dhe se krejt çfarë është dialoguar deri më tash duhet analizuar për dëmet që janë pësuar.

Ajo tha se për fondin pensional të grabitur nga Serbia, nuk është diskutuar asnjëherë në dialog, ndërkohë që nuk janë kthyer as dokumentet kadastrale dhe as artefaktet, dëmet e luftës, edhe pse ato ishin pjesë e platformës dialoguese.

“Mjaft me marrëveshje të fshehta, e të dëmshme, mjaft me tradhti prapa shpine,  nuk ju duron më askush. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe asistentët e tjerë të pazareve duhet të shkoni. Shtatë vite të padrejtësi iu shkaktuan Kosovës”, tha ajo.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj deklaratave të Millakut, duke thënë që të mos merret me shpifje, pasi që kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj nuk i jep llogari Vetëvendosje, por vetëm votuesve të tij.

Edhe deputetja Time Kadriaj nga AAK-ja tha se Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht po i injoron institucionet e shtetit, e nën anën tjetër deputetët e kësaj partie po sillen si patriotë. Ajo shtoi se deputetja Millaku nuk është e autorizuar që të flasë në emër të kryeministrit dhe nuk e pranojnë madje as rojë në ndërtesë të qeverisë.

“Ne nuk e pranojmë as rojë me kanë atje poshtë qeverisë. Çka me fol ne me këta kur nuk e pranojnë as shtetin e Kosovës, as simbolet e Kosovës, as himnin e Kosovës dhe në evenimente të rëndësishme ata nuk ngritën në këmbë duke thënë se janë patriotë. Patriot nuk është me fjalime të zjarrta, por me shkuar aty ku është vendi, për të biseduar dhe shprehur shqetësimet dhe të mos na dhunojnë këtu në parlament me deklarata të tyre”, u shpreh ajo.