Dëbimi i emigrantëve, arrestohen 1200 persona, s’kishin leje qëndrimi në SHBA

Autoritetet e imigracionit kanë realizuar një operacion të madh arrestimesh në Chicago, ku janë ndaluar 1,179 persona vetëm në një ditë, të dielën e kaluar.
Sipas NBC News-it dhe informacionit të siguruar nga një zyrtar i administratës Trump, 613 nga këta të arrestuar u konsideruan si “arrestime kriminale”, ndërkohë që pjesa tjetër, ose rreth 566 persona, nuk kishin kryer ndonjë krim të rrezikshëm, por ishin arrestuar për shkak se ishin pa dokumente të vlefshme që i lejonin të qëndronin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.
Në përfundim të operacionit, tetë nga të arrestuarit u kategorizuan si “kriminelët më të këqij të arrestuar”, përfshirë dy anëtarë të një bande kriminale, sipas një zyrtari të administratës.
Megjithatë, shifrat sugjerojnë se një numër i konsiderueshëm i atyre që u ndaluan nuk kishin asnjë lidhje me krimet e rënda, dhe arrestimet e tyre lidhen kryesisht me shkelje të Ligjit të emigracionit, si kalimi i kufirit ilegalisht.
Ky operacion, i cili ka tërhequr vëmendje për shkak të numrit të madh të arrestimeve, ka ngritur pyetje rreth premtimeve të administratës Trump për të fokusuar operacionet e imigracionit te ata që janë përfshirë në krime të rënda. Shifrat e fundit mund të hedhin dyshime për këtë përparësi, duke treguar se shumë nga të arrestuarit nuk ishin të përfshirë në aktivitete kriminale të dhunshme, por thjesht kishin shkelur Ligjin për qëndrimin në vend.