75 Mall Live Search
23:46 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / F.R

Dëbimi i sirianëve nga Gjermania/ Merz fton Al Sharaa: Lufta ka mbaruar, nuk ka më arsye për azil!

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ftuar presidentin sirian Ahmed al Sharaa në Gjermani për të diskutuar deportimin e qytetarëve sirianë me precedentë penalë nga vendi.

Merz tha për gazetarët se plani është që të vazhdojë dëbimi i kriminelëve dhe tashmë do të fillojë zbatimi në mënyrë shumë konkrete.

Kancelari tha gjithashtu se Gjermania dëshiron që të ndihmojë në stabilizimin e Sirisë, duke shtuar se synon që të diskutojë me Al Sharaa, mënyrat si situata mund të zgjidhet.

Paraardhësja e Merz, Angela Merkel, ndoqi një politikë historike të dyerve të hapura ndaj refugjatëve gati 10 vite më parë, duke mirëpritur rreth 1 milion emigrantë në Gjermani, shumë prej të cilëve sirianë që iknin nga lufta civile.

Por shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë. Mbështetja për të djathtën ekstreme anti emigracion është rritur ndjeshëm dhe konservatorët e Merz kanë qenë nën presion për të ndryshuar qasjen në lidhje me këtë çështje.

Politikat që ata kanë ndjekur kanë qenë më të ashpra sa i përket sigurisë kufitare dhe migracionit dhe kancelari është zotuar të përshpejtojë deportimet.

“Do ta them përsëri: lufta civile në Siri ka mbaruar. Tani nuk ka më arsye për azil në Gjermani”, tha Merz.

Që kur mori pushtetin nga ish-Presidenti Bashar al-Assad në dhjetor 2024, Sharaa ka bërë një sërë udhëtimesh jashtë vendit, ndërsa qeveria e tij kalimtare kërkon të rivendosë lidhjet e Sirisë me fuqitë botërore që e kishin shmangur Damaskun gjatë sundimit të Asad.