Dëbimin nga Kosova të ruses së dyshuar si spiune, Rusia e cilëson provokim

Ambasada e Rusisë në Beograd, konsideron se shpallja “persona non grata” për 5 vite ndaj gazetares ruse, Daria Asmalova, e dyshuar si spiune e shërbimit inteligjent të ushtrisë ruse-GRU, është shpërfillje e parimeve themelore demokratike.
Ambasada ruse në Beograd i ka bërë thirrje OKB-së, OSBE, dhe BE-së për të dhënë një vlerësim përkatës lidhur me këtë ngjarje.
“Më 6 gusht 2022, në vijën administrative ndërmjet Serbisë Qendrore dhe Rajonit Autonom të Kosovës dhe Metohisë, “forcat e sigurisë” kosovaro-shqiptare, ndaluan një gazetare ruse, një redaktore special e gazetës “Komsomolskaya Pravda” D. M. Aslamova”, shkruan ambasada.
“Nën justifikimet e sajuara, kosovarët përzunë D. M. Aslamov, që erdhi në territorin e rajonit dhe e akuzuan në mënyrë absurde se “punon për shërbimet e inteligjencës ruse”, u ndalua dhe u mor në pyetje për disa orë”.
Ambasada deklaron se asaj iu ndalua përdorimi i celularit dhe të gjitha sendet personale.
“Ambasada njoftoi menjëherë praninë ndërkombëtare në rajon, në veçanti Misionin e OKB-së për Administrimin e Përkohshëm në Kosovë (MONC), duke vepruar në përputhje me Këshillin e Sigurimit 1244, si dhe përmes Përfaqësimit të Përhershëm të Federatës Ruse në OKB në Nju Jork – drejtpërdrejt Sekretariati i OKB-së”.
“ Aslamova është e sigurt, ndodhet në territorin e Serbisë Qendrore”.

Ambasada e Rusisë në Serbi e konsideron të pabazuar ndalimin e D. M. Aslamova dhe sipas tyre është edhe një provokim i organeve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, një shembull i shpërfilljes së plotë nga Prishtina të parimeve themelore demokratike, duke përfshirë lirinë e mediave.
“I bëjmë thirrje Sekretariatit të OKB-së, UNIC-it, Misionit të OSBE-së në Kosovë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit dhe organizatave relevante ndërkombëtare që menjëherë të japin një vlerësim përkatës publik për incidentin”, shkruan ambasada ruse, transmeton RTK.
Gazetarja Aslamova u ndalua të shtunën në mbrëmje e më pas u dëbua nga Kosova.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se ajo është spiune e Shërbimit Inteligjent Ushtarak të Rusisë dhe e njëjta është person i padëshirueshëm për Kosovën. Me vendim të tij, asaj i është ndaluar hyrja në republikane Kosovës për 5 vitet e ardhshme./RTK/