75 Mall Live Search
10:26 / E Hënë, 16 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Bora e parë, në malin Tomorr, tërheq alpinistët në peizazhin e bardhë

Reshjet e borës në fundjavë në malin e Tomorrit ftuan të apasionuarit pas alpinizimit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.

Parku Kombëtar i Tomorrit, vitet e fundit është një nga parqet më të vizituara si nga vizitorë të huaj dhe vendës.

Kujdesi i treguar nga administrata e këtij parku në menaxhimin e mjediseve turistike dhe të shoqërimit të vizitorëve me specialistë guidatorë që njohin shtigjet dhe vendet e kalueshme për në hapësirat turistike të Tomorrit, kanë bërë që ky park të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Administrata e Zonave të Mbrotjura të Beratit bën të ditur se “moti i mirë sot, pas borës së rënë dje, ka sjell turistë të shumtë në malin e Tomorrit”.

Sipas ADZM-së, disa, si të apasionuar pas alpinizmit, kanë ngjitur lartësitë plot borë, ndërsa të tjerë me familje luajnë me borën e parë të këtij viti.

Mali i Tomorrit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të rafftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorrit, rrjedh lumi Osum, që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës.

Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës./atsh/