Defender Europe 22 fillon këtë muaj, Kosova po përgatitet për DEF-EU 23

Ushtrimi më i madh fushor shumëkombësh i udhëhequr nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zhvillohet edhe sivjet në 11 vende aleate të NATO-s.
Ky ushtrim do të nis këtë muaj në Danimarkë, Estoni, Gjermani, Francë, Lituani, Letoni, Holandë, Poloni, Sllovaki, Suedi dhe në Britaninë e Madhe, me një pjesëmarrje prej 9155 trupash, 3268 nga ushtria amerikane dhe 5887 nga kombet tjera pjesëmarrëse.
Komandën e DEFENDER-Europe 22 do ta kenë Trupat V të Ushtrisë Amerikane (të cilët kanë qenë aktiv që nga Lufta e Parë Botërore, Luftën e Dytë, Luftën e Ftohtë e më vonë edhe në Kosovë dhe në operacionet e SHBA-së në luftën kundër terrorizmit jashtë vendit).
Ushtrimet kryesore të cilat janë bërë të ditura nga komanda e ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, përfshijnë operacione me armë zjarri të njëmendta, marshime dhe kalime lumenjsh.
Kosova, dhe vendet tjera të Ballkanit nuk do të jenë pjesë e ushtrimit shumë-kombësh Defender 22, por vendi po bën përgatitje për të marrë pjesë në ushtrimin e njëjtë që do të zhvillohet në shkallë më të gjerë gjatë vitit 2023.
Ushtria më e re në botë, veçse theu akullin në vitin 2021 duke u bërë pjesë e këtij ushtrimi për herë të parë me 330 ushtarë, duke qenë madje vend pritës.
Kosova synon ta bëjë sërish historinë në vitin e ardhshëm, pasi në 2023-ën, siç ka bërë me dije ministri i mbrojtjes Armend Mehaj do të marrin pjesë 1100 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kreu i mbrojtjes ka folur sërish për këtë ushtrim të enjten, përmes një statusi, ku ka treguar qëllimin e Forcës për ta validuar një kompani të dytë, transmeton Klan Kosova.
”Pjesëmarrja në “Defender Europe 23” do të jetë një sfidë dhe privilegj ku pjesëtarët e Kompanisë 2A do të kenë mundësinë të dëshmojnë aftësitë e tyre operacionale krahas vendeve anëtare të NATO-s. Misionet, ushtrimet e trajnimet e përbashkëta me shtetet aleate, tregojnë se Kosova është partner i besueshëm i NATO-s, shtet që ruan vlerat e demokracisë si kusht të stabilitetit”, ka shkruar Mehaj në profilin e tij në facebook.
Përgatitjet për këtë ushtrim janë ende në fazën fillestare, dhe gjithnjë sipas deklarimit të ministrit, edhe të mërkurën e kësaj jave gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë, vëmendja mbrojtjes së shtetit është në përmirësimin e infrastrukturës në hapësirën fushore Babaj e Bokës në Gjakovë, ku do të zhvillohet sërish ushtrimi në Kosovë.