75 Mall Live Search
14:48 / E Shtunë, 06 Dhjetor 2025 / F.R

Dega e AAK-së në Zvicër i bën thirrje KQZ-së për adresimin e problemeve teknike në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit

Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për diasporë, Sokol Mehmetaj ka bërë të ditur se një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës po përballen me vështirësi serioze gjatë procesit të regjistrimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra për media e AAK-së thuhet se meqenëse kanë mbetur vetëm disa orë deri në përfundimin e afatit reagimi i KQZ-së duhet të jetë i shpejtë.

“Si Sekretar Organizative i AAK-së për Diasporë, dëshiroj të informoj opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse se një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës po përballen me vështirësi serioze gjatë procesit të regjistrimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Pavarësisht se qytetarët kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe të rregullt, përfshirë mjetet e identifikimit dhe dëshmitë e adresës të kërkuara me procedurë, shumë prej tyre kanë marrë vendime refuzuese me arsyetimin se ‘adresa e deklaruar është e pasaktë’. Këto vendime janë të pabazuara, pasi dokumentet e paraqitura janë të sakta, të verifikueshme dhe plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore”, thekson ai.

Referuar njoftimit, Mehmetaj thekson se ka indikacione të qarta se këto refuzime të njëpasnjëshme mund të jenë rezultat i problemeve teknike brenda sistemit të regjistrimit, e jo mangësi nga ana e aplikuesve.

Mehmetaj kërkon se KQZ të diagnostikojë dhe të eliminojë pa vonesë çdo defekt teknik në sistemin e regjistrimit; të rishqyrtojë menjëherë të gjitha aplikimet e refuzuara padrejtësisht, në mënyrë që të garantohet trajtimi i drejtë dhe i barabartë i çdo qytetari dhe të sigurojë transparencë të plotë gjatë gjithë procesit, me qëllim që të mbrohet integriteti dhe besueshmëria e zgjedhjeve.

“Meqenëse kanë mbetur vetëm disa orë deri në përfundimin e afatit, kërkoj me ngulm që KQZ të veprojë menjëherë, në interes të mbrojtjes së së drejtës kushtetuese të qytetarëve tanë për të votuar dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thotë tutje.