75 Mall Live Search
10:27 / E Mërkurë, 18 Tetor 2023 / A. M.

Deklarata e Macron për liberalizimin e vizave për Kosovën, Fevziu: Jo në kohën dhe në vendin e duhur

Deklarata e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ka shkaktuar konfuzion në publik pasi mbetet e paqartë nëse ai ka folur për një pezullim të procesit apo për një rishikim dhe diskutim me partnerët ndërkombëtarë.

Lidhur me deklaratën e Presidentit Macron, një qëndrim ka mbajtur dhe gazetari Blendi Fevziu, i cili thotë: Deklarata e Macronit është jo në kohën e duhur, jo në vendin e duhur dhe jo në përmasën e barabartë, po e quaj të “përgjegjësisë së fajit” që mund të kishte Kosova në raport me Serbinë.

Qëndrimi i plotë i gazetarit Blendi Fevziu lidhur me deklaratën e Presidentit të Francës, Macron:

Presidenti Macron ka bërë një deklaratë ambigue gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama. Ai ka lënë të kuptohet, ose ka përmenduar faktin e liberalizimit të vizave të Kosovës, të cilat priten të hyjnë në fuqi nga 1 Janari pa lënë të kuptohet mirë nëse bëhet fjalë për një pezullim, ka përdorur fjalën pezullim, apo nëse bëhet fjalë për një rishikim apo diskutim me partnerë.

Në fakt, nuk është hera e parë që Macron ka adresime të tilla lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe më 5 Shtator të këtij viti, ai ka bërë të njëjtën deklaratë duke thënë se Gjermania dhe Franca, pra në atë kohë ka folur dhe në emër të Gjermanisë, “kanë bërë mjaft për liberalizimin e vizave të Kosovës”, por se ata mund ta rishikojnë këtë process.

Duket se deklarata e Macronit është jo në kohën e duhur, jo në vendin e duhur dhe jo në përmasën e barabartë, po e quan të “përgjegjësisë së fajit” që mund të kishte Kosova në raport me Serbinë. Ai ka folur dhe për sanksionet ndaj Presidentit Vuçiç, por nuk i ka përmendur atij asgjë konkrete, ndërkohë që për Kosovën ka përmendur libralizimin e vizave.

Liberalizimi i vazave të Kosovës është tejet i vonuar. Ai duhej të ishte bërë shumë më parë. Demarkacioni u lidh me vizat, ngritja e Gjykatës Speciale u lidh me vizat, shumë çështje të tjera që Kosova është detyruar që të bëjë, janë lidhur me vizat.

Vizat nuk mund të jenë një shkop i vazhdueshëm që qëndron mbi kokën e Kosovës, por një instrument për të integruar qytetarët e Kosovës më shumë në Evropë, një instrument për t’i bërë ata të ndihen pjesë të kontinentit që realisht i përkasin. Pra, në këtë aspekt, e para, sanksionet duhet të jenë të barabarta për ata që refuzojnë dhe jo t’i përmenden Kosovës vizat dhe Serbisë asgjë dhe e dyta, vizat nuk mund të jenë një shkop për të goditur qytetarët e një vendi, por një instrument për t’i integruar këta qytetarë në kontinentin të cilit i përkasin.