14:50 / E Diele, 10 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës për të Drejtat e Njeriut

Qeveria e Kosovës është deklaruar me rastin e ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Përmes një komunikate Qeveria e “Haradinajt” ka theksuar se respektimi dhe njohja e të drejtave të barabarta për secilin njeri, secilin qytetar të botës, shënon shkallën e lirisë dhe njëkohësisht edhe themelin e demokracisë brenda shoqërive tona.

Komunikata  e plotë:

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është më shumë se një përkujtues se paqja arrihet me barazinë dhe me gëzimin e lirisë në çdo fushë, për çdo njeri, pavarësisht fesë, racës, gjinisë apo orientimeve të njerëzve.

Kosova e ka ende të freskët historinë e dhimbjes së pabarazisë, të dhunimit të të drejtave të njeriut dhe luftës për të qenë pjesë e lirisë. Dhe, në më pak se dy dekada Kosova ka treguar shembullin e ngritjes së shtetit të së drejtës, të respektimit të barazisë ndërmjet qytetarëve të saj dhe mbrojtjes së të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti të atyre që janë më të lëndueshme.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të jetë me qytetarin e saj, në krijimin e mirëqenies për secilin, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të shoqërisë tolerante dhe avancimin e të drejtave për secilin./Indeksonline/