75 Mall Live Search
23:35 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / OSH

Deklarohen nga BE-ja: Presim që dialogu të rifillojë sapo të formohet qeveria e re në Kosovë

Peter Stano, zëdhënësi i BE për punët e jashtme, ka thënë se janë duke punuar intensivisht që dialogu të rifillojë posa të formohet qeveria e re.

“Punët për dialogun po vazhdojnë. Lajçak është i angazhuar për të bashkëvepruar me partnerët e BE-së, vendet e Ballkanit perëndimor dhe bashkësinë ndërkombëtare. Takimet e veçanta mes Kosovës e Serbisë do të fillojnë pasi në Kosovë të formohet qeveria e re”, deklaroi Peter Stano për Dukagjinin. E Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011.

Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Serbia i quan bisedime teknike dhe refuzon të diskutohet për njohje derisa Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.

Megjithëkëtë njohjen e Kosovës nga Serbia e ka kërkuar të dielen edhe Presidenti amerikan, Joe Biden. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë, mirëpo ka kërkuar reforma dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën e cila përfshin njohjen e ndërsjellë.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në një letër të cilën presidenti Biden i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë që shënohet me 15 shkurt. Letra është publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Serbisë./IndeksOnline/.