Deklarohet Hoti pas takimit me Ramosajn: Brenda ditëve e javëve në vazhdim, do të gjejmë zgjidhje për rrugën Deçan-Plavë

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti sapo ka përfunduar vizitën në Komunën e Deçanit, ku ka takuar kryetarin Bashkim Ramosaj e me të cilin kanë diskutuar në lidhje me temën më aktuale të këtyre ditëve ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, përkatësisht kontestit që ekziston në ndërtimin e kësaj rruge me Manastirin e Deçanit.
Hoti tha se ka një kulturë institucionale në vend për të respektuar ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës e po ashtu vendimet e Qeverisë së Kosovës.
“Vizitova kryetari e Deçanit, diskutuam për çështjet e rëndësishme për zhvillimin dhe ne veçanti për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë. Ne kemi kulturë institucionale për ë respektuar ligjet që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës për të respektuar vendimet e institucioneve”, tha Hoti para gazetarëve.
Ai shtoi se gjatë ditëve në vazhdim, do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje sa më të përshtatshme për këtë rrugë, që është bërë “moll sherri” midis Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje e mirë për të promovuar interesat e qytetarëve të Deçanit, por në të njëjtën kohë për të treguar kujdes për objektet e trashëgimisë siç është Manastiri i Deçanit,. Në ditën në javët në vijim, do të gjejmë zgjidhjen më të mirë.
Nga ana tjetër kryetari Ramosaj tha se është përkushtim i përbashkët që rruga të vazhdojë të ndërtohet, por se fillimisht duhet të zgjidhet në tërësi kontesti që ka komuna me Manastirin e Deçanit.