11:42 / E Premte, 31 Mars 2023 / k.v

Deklarohet i pafajshëm zyrtari i Fushë Kosovës i akuzuar për korrupsion

Zyrtari i Gjendjes Civile në Fushë Kosovë, Latif Ibrahimi është deklaruar i pafajshëm, të premten në shqyrtimin fillestar, në rastin ku po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

“Nuk ndihem fajtor aspak”, ka deklaruar i akuzuari Ibrahimi, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Medie Bytyqi e ka njoftuar të akuzuarin Ibrahimi dhe mbrojtësin e tij, avokatin Hamdi Ibrahimi se kanë të drejtë që deri më 2 maj 2023 të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të përpiluar me 24 janar të vitit 2022, Latif Ibrahimi po akuzohet se si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës në Fushë Kosovë, ka shënuar të dhëna të rreme në librin amzë të lindjes me 8 qershor të vitit 2005 për personin N.A.

Ndërsa sipas aktakuzës, i njëjti, me 7 mars 2017 e ka regjistruar atë në sistemin elektronik në regjistrin qendror me qëllim që t’i mundësojë marrjen e dokumentit personal të Republikës së Kosovës, e që më pas i njëjti ishte pajisur me letërnjoftim. Mirëpo, pas verifikimit nga zyrtarët nuk është gjetur lënda bazë e regjistrimit, si dhe pas verifikimit në sistem elektronik nuk janë gjetur të regjistruar prindërit e të njëjtit.

Në fund të kësaj aktakuze thuhet se Zyra e Gjendjes Civile, në Drejtorinë e Administratës në Fushë Kosovë ka marrë vendim për anulimin e këtij regjistrimi.

Andaj, i pandehuri i lartcekur po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPRK-së /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.