Deklarohet IPK për suspendimin e policit serb që pengoi arrestimin shtetasit malazez në Gazimestan

Indeksonline pak më herët ka raportuar për suspendimin e zyrtarit policor të nacionalitetit serb, i cili pengoi arrestimin e një personi në Gazimestan në kuadër të ritualeve vjetore të Vidovdanit.
Lidhur me rastin për Indeksonline janë deklaruar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Në përgjigjen e tyre, thonë se IPK ka filluar hetimin ndaj tij ku edhe i njëjti është suspenduar.

“Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim te Prokurorise Themelore të Prishtinës ka filluar hetim penal ndaj një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
IPK ka filluar këtë hetim me dyshimin se ky zyrtar ka penguar zyrtarët tjerë policorë gjatë arrestimit të një të dyshuari në vendin e quajtur Gazimestan. Në interes të procedurës hetimore IPK ka rekomanduar suspendimin e të dyshuarit”, thuhet në përgjigje.
Polici i nacionalitetit serb pengoi arrestimin Risto Jovanoviq, shtetas malazez, në Gazimestan.
Burime të Indeksonline kanë treguar se i arrestuari është ndaluar për 48 orë.
Arsyeja e arrestimit të tij është se ai ka bërë thirrje nacionaliste dhe nxitje të urrejtjes./Indeksonline/