75 Mall Live Search
22:46 / E Diele, 24 Korrik 2022 / AR

Deklarohet Policia për bastistjen e NPB-së për projektin e ndërtimit në Lakrishtë

Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë të enjten njoftoi se Policia e Kosovës më datë 19.07.2022 ka bastisur zyret e tyre për projektin e ndërtimit në Lakrishtë.

NPB njoftoi se dokumentet që janë kërkuar i ishin dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më herët. Sipas tyre, zyrtarë policorë që ishin në ambientet e tyre, kanë bërë shkelje ligjore.

Nga Policia e Kosovës për Indeksonline thonë se bastisja është kryer në urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë, duke mos dhënë më shumë informacione.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka kryer bastisje bazuar në urdhëresën e gjykatës themelore Prishtinë. Te gjitha veprimet janë ndërmarr sipas urdhëresës dhe sipas autorizimeve policore. Polica e Kosovës duke u bazuar ne faktin se ky rast është ne fazën e hetimeve, për momentin nuk mund te jep me shumë informacione”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Në anën tjetër, Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një konferencë për media, ka thënë se duhet t’i gëzohemi lajmit për bastisjen në Ndërmarrjen Publike Banesore nga Policia e Kosovës për një keqpërdorim të dyshuar.

Ai tha se të kundërtën mund ta bëjnë ata që kanë mundur të jenë të përfshirë, derisa veprimin e policisë e konsideron legjitim.

“Që moti qendra jonë në Prishtinë ka ngritur shqetësimet për projektin afaristo-banesor 120 milionësh te Ndërmarrja Publike Banesore. Madje, ky del të jetë nga ato rastet kur keqpërdorimi nuk luftohet post festum, por hetohet e ndalet në tentativë. Kësaj duhet t’i gëzohemi të gjithë, natyrisht përveç atyre që mund të jenë përfshirë në këtë gjë. Për një kohë të gjatë, korrupsioni në Kosovë jo që nuk është luftuar, por në pjesën më të madhe është përkëdhelë me veprime të dobëta e masa të lehta të gjykatave të Kosovës”.

Rrustemi tha se ky veprim i organeve të rendit për të hetuar deri në fund dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjitha ata që kanë qenë të përfshirë, “apo kanë mundësuar, apo nuk kanë ndaluar keqpërdorimet dhe shkeljet ligjore në rastin e dhënies në shfrytëzim të përhershëm të pronës publike të NPB për ndërtim privat në një zonë profitabile të kryeqytetit”, duhet të përshëndetet dhe të ndihmohet./Indeksonline/