Deklarohet Zenun Elezaj pas aksionit të Policisë e Prokurorisë në rajonin e Pejës

Kryetari i komunës së Klinës, ka reaguar pas aksionit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë në rajonin e Pejës.
Cak i këtij aksioni ishte edhe komuna që e udhëheq Elezaj, Klina, shkruan IndesOnline.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se komuna e mbështet në mënyrë të plotë organet e drejtësisë në zbatimin e ligjit dhe vënien e drejtësisë për çdo rast të mundshëm të shkeljes së ligjit nga kushdo.
“Si kryetar i komunës së Klinës vlerësoj se organet e drejtësisë duhet të përmbahen nga veprimet që mund të prodhojnë precesione politike, për çka dua të besoj se nuk ka një arsye të tillë. E nëse organet e drejtësisë shndërrohen në vegla politike ose vihen në shërbim të politikës, kjo do të ishte një fatkeqësi dhe rrezik për sundimin e ligjit dhe demokracinë”.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Klinës,
Sot, Policia dhe Prokuroria ka zhvilluar një aksion në rajonin e Pejës duke e përfshirë dhe Komunën e Klinës.
Sqarojmë opinionin se ne mbështesim në mënyrë të plotë, pa rezervë dhe ofrojmë mbështetjen tonë të pa kursyer për organet e drejtësisë në zbatimin e ligjit dhe vënien e drejtësisë për çdo rast të mundshëm të shkeljes së ligjit nga kushdo.
Ne duam që as kjo komunikatë të mos ketë efekt në hetimet, e as që duhet të paragjykohet si e tillë. Përkundrazi besojmë se hetimi duhet të jetë i drejtë dhe i shpejtë ashtu që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme. Në rast të kundërt, si kryetar i komunës së Klinës vlerësoj se organet e drejtësisë duhet të përmbahen nga veprimet që mund të prodhojnë precesione politike, për çka dua të besoj se nuk ka një arsye të tillë. E nëse organet e drejtësisë shndërrohen në vegla politike ose vihen në shërbim të politikës, kjo do të ishte një fatkeqësi dhe rrezik për sundimin e ligjit dhe demokracinë.
Shpresojmë̈ dhe urojmë që organet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe e vërteta të del në shesh sa më parë.