Dekreti i 6 marsit: një leksion për respektim të Kushtetutës!
Shkruan: Halit Krasniqi
Mosrespektimi i dispozitave kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Presidentit e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen institucionale për ruajtjen e funksionimit të rendit kushtetues.
Dekreti i së premtes, më 6 mars, pritet të mbetet një nga aktet më domethënëse në biografinë institucionale të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai përfaqëson jo vetëm një vendim politik, por mbi të gjitha një veprim të mbështetur në logjikën dhe në normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në thelb të këtij dekreti qëndron respektimi i rendit kushtetues. Procedura e mëparshme për zgjedhjen e Presidentit nuk ka respektuar dispozitat e nenit 82 paragrafi 3 dhe nenit 86 paragrafi 2 të Kushtetutës. Në një situatë të tillë, Presidentja ishte e detyruar të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese, të përcaktuara në nenin 84, pikat 2, 3 dhe 4, të cilat e obligojnë atë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve.
Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta paraqitur këtë dekret si një veprim të diskutueshëm juridik nuk qëndron. Baza kushtetuese e tij është e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Pikërisht për këtë, në një interpretim serioz nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është e pa mundur që do ta kontestonte themelin juridik të këtij vendimi.
Në të ardhmen, ky rast ka gjasë të trajtohet edhe në literaturën juridike si një shembull i mënyrës se si duhet të funksionojë kontrolli kushtetues brenda vetë institucioneve. Për administratën shtetërore dhe për drejtuesit e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, ai mund të shërbejë si një mësim i qartë se procedurat kushtetuese nuk janë formalitete politike që mund të anashkalohen sipas interesit të momentit.
Në vitet e fundit është vërejtur një prirje shqetësuese për relativizimin e funksionimit të institucioneve. Në vend të respektimit të rregullave kushtetuese, shpesh është përdorur një retorikë politike shumë naive që përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë te kundërshtari politik, ndërkohë që procedurat ligjore trajtohen si instrumente taktike në lojën e pushtetit.
Por një shtet nuk mund të ndërtohet mbi improvizime procedurale. Edhe një mazhorancë e fortë parlamentare mund të bëjë gabime të rënda nëse e sheh pushtetin si një mekanizëm dominimi dhe jo si përgjegjësi institucionale.
Kjo është edhe më e rrezikshme në një kohë kur rendi ndërkombëtar po kalon një periudhë tensioni të thellë. Konfliktet në Evropën lindore dhe në Lindjen e Mesme dëshmojnë se stabiliteti ndërkombëtar është më i brishtë se në shumë periudha të këtij çerek shekulli që nga çlirimi i Kosovës.
Në një situatë të tillë, përçarjet e brendshme politike janë të pa justifikueshme, sepse shtete të reja si Kosova nuk mund ta përballojnë. Përkundrazi, kërkohet maturi institucionale dhe bashkëpunim strategjik doemos.
Në këtë kontekst, është e natyrshme që bashkëpunimi politik dhe institucional të thellohet edhe me Shqipërinë. Koordinimi i drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve në Tiranë dhe në Prishtinë do të ishte një hap racional për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe të zhvillimit politik në rajon.
Në fund, dekreti i 6 marsit nuk është vetëm një akt juridik. Ai është një definicion se stabiliteti i shtetit fillon nga respektimi i Kushtetutës. Kur procedurat kushtetuese trajtohen me seriozitet, forcohet jo vetëm rendi institucional, por edhe besueshmëria e shtetit në arenën ndërkombëtare.

