Dekreti për shpërndarjen e kuvendit, partitë politike me qëndrime të ndryshme
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si edhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka deklaruar se aktualisht po pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të sqaruar situatën e krijuar rreth dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.
‘’Jemi në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese për të sqaruar situatën rreth dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit’’, tha Haliti
Sipas Halitit, Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe pret që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë në këtë çështje n mënyrë që të procedohet me zgjedhjen e presidentit të vendit.
‘’Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur zgjedhjet, presim që gjykata kushtetuese të na japë të drejtë që të vazhdojmë me procedurat për zgjedhjen e presidentit ose presidentes’’, tha Haliti.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për Front Online ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se situata aktuale është krijuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
‘’ Tani gjithë këtë situatë e kanë krijuar Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ne dorë tani e ka gjykata Kushtetuese ‘’, tha Haliti.
Sipas Halitit tashmë vendimi për zhvillimet e mëtejme është në dorën e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa të gjitha palët janë të obliguara ta respektojnë vendimin që do të marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Haliti ka thënë se, nëse Kushtetuesja vendos ta miratojë dekretin e presidentes, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
‘’Në dorë tani e ka vendimin Gjykata Kushtetuese .Ne te gjithë jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e saj sepse varësisht nga vendimi nëse ajo vendos t’ia miratojë dekretin Osmanit do të shkojmë në zgjedhje’’, tha deputeti Haliti
Haliti ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se presidentja, sipas tij, ka marrë vendim për t’ua marrë mandatin 120 deputetëve të zgjedhur nga populli, ndonëse, sipas Halitit , një vendim i tillë mund të merret vetëm nga parlamenti me votat e deputetëve.
‘’Ajo që për mua është shqetësuese është se presidentja ka mandat edhe një muaj dhe ka marrë vendim t’ua marrë mandatin e të zgjedhurve të popullit 120 deputetëve, atë që mundet vetëm parlamenti ta bëjë me votat e deputetëve’’, tha Haliti
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në një prononcim për Front Online ka deklaruar se për partinë e saj parësore mbetet respektimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë.
Sipas saj, duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani dhe afatin e 31 marsit që lidhet me masën mbrojtëse, pasi sipas saj nuk mund të ketë hapa të mëtejmë pa qartësi ligjore.
‘’Për LDK-në, parësore është respektimi i Kushtetutës. Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes dhe afatin e 31 marsit (për masën mbrojtëse), sepse nuk mund të ecet përpara pa qartësi ligjore’’, tha Ymeri për FrontOnline.
Ymeri ka thënë gjithashtu se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme edhe për zgjedhje, nëse vendoset që vendi të shkojë sërish në proces zgjedhor dhe se partia mbetet e mobilizuar sa herë që kërkohet një gjë e tillë.
‘’LDK është e gatshme. Nëse vendoset që duhet të shkohet sërish në kutitë e votimit, ne jemi këtu dhe të mobilizuar sa herë që kërkohet’’, tha Ymeri.
Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se situata aktuale u bë publike në momentin kur, sipas saj, kryeministri Albin Kurti nuk kishte interes që të zgjidhej një president që konsiderohej si kandidat konsensual.
‘’U bë publike ngjarjet në momentin që Kurti nuk kishte interes të zgjidhte një president që mendohej se kishte konsensual’’, tha Kadrijaj
Kadrijaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për zgjedhje dhe se fillimisht partia kishte qenë duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme partiake, por ato janë pezulluar për shkak të situatës së krijuar politike në vend.
‘’Dihet se nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë në zgjedhje. Ne si AAK jemi të gatshëm për zgjedhje në fakt ishim duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme nga partia mirëpo i kemi pezulluar për shkak të kësaj situate’’, tha Kadrijaj.

