75 Mall Live Search
13:29 / E Hënë, 13 Qershor 2022 / k.v

Dekretohen shtatë prokurorë me mandat fillestar

Me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, ka dekretuar sot shtatë prokurorë.

Këta prokurorë janë dekretuar me mandat fillestar për tri vite, dhe do të sistemohen në Prokuroritë Themelore në Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj.

Në ceremoninë e betimit para Presidentes së vendit, Prokurorët e rinj janë betuar se “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.

Ndërkaq, Presidentja Osmani ka theksuar se shteti ligjor dhe i së drejtës është parakusht për funksionimin e shtetit dhe shoqërisë, duke u bërë thirrje prokurorëve të rinj që në punën e tyre të jenë të pakompromis ndaj krimit e korrupsionit.

Njëkohësisht, Presidentja ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar.