Del autopsia, pas aksidentit tragjik, ku humbi jetën Kobe Bryant dhe pasagjerët e tjerë

Është zbardhur autopsia e vdekjes së Kobe Bryant dhe pasagjerëve të tjerë katër muaj pas aksidentit tragjik.
Dje nga Departamenti i Mjekësisë në Los Angeles është zbuluar dhe raporti i autopsisë.
Nga autopsia e publikuar ka rezultuar se piloti nuk ishte në gjendje të dehur dhe as të droguar.
“Shkaku i vdekjes për të nëntë viktimat u vërtetua si traumë e hapur. Mënyra e vdekjes u vërtetua si aksident. Testi nuk zbuloi praninë e alkoolit ose drogave të ndryshme. Trupi i pilotit u testua për substanca, përfshirë benzodiazepines, kokainë, fentanil, heroinë, marijuanë, opioide, fenciklidinë dhe amfetamina”, thuhet në raportin e autopsisë.
Raporti tregon se të gjithë pësuan lëndime të menjëhershme fatale kur helikopteri u rrëzua në kodër.
Ky raport ofron një vështrim klinik se sa brutal ishte aksidenti. Teksti përshkruan se si kishte kocka të thyera, pjesë të trupit të shpërbërë dhe një erë e keqe që vinte nga ato që digjeshin, nga ato që kishin mbetur.
Raporti thotë se të gjithë humbën jetën nga aksidenti i rëndë, që dyshohet se është shkaktuar nga mjegulla e dendur.
Kobe Bryant konsiderohet si një prej basketbollistëve më të mëdhenj në historinë e NBA teksa është shënuesi i katër më i mirë në këtë kampionat me mbi 33 mijë pikë të shënuar në karrierë.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, Vanessa ka bërë me dije se libri i dytë Kobe “The Wizenard Series: Season One” është hedhur në treg dhe të gjithë adhuruesit e tij mund ta lexojnë.