Del mbi sipërfaqe fshati ‘fantazmë’ në kufirin mes Spanjës dhe Portugalisë

Një fshat fantazmë që është shfaqur pasi thatësira pothuajse ka zbrazur një digë në kufirin spanjoll-portugez, po tërheq turma turistësh me rrënojat e tij të frikshme gri.
Me rezervuarin në 15 për qind të kapacitetit të tij, detajet e një jete të ngrirë në vitin 1992, kur fshati Aceredo në rajonin veriperëndimor të Galicisë të Spanjës u përmbyt për të krijuar rezervuarin Alto Lindoso, po zbulohen edhe një herë, shkruan CNN.
“Duket sikur jam duke parë një film. Kam një ndjenjë trishtimi”, tha pensionisti 65-vjeçar Maximino Perez Romero, nga A Coruna. “Ndjenja ime është se kjo është ajo që do të ndodhë me kalimin e viteve për shkak të thatësirës dhe gjithë kësaj, me ndryshimet klimatike”.
Duke ecur në tokën me baltë të plasaritur nga thatësira në disa pika, vizitorët gjetën çati pjesërisht të shembura, tulla dhe mbeturina druri që dikur përbënin dyer ose trarë, madje edhe një shatërvan me ujë që ende rridhte nga një tub i ndryshkur.
Arka me shishe birre bosh u grumbulluan pranë një kafeneje dhe një makinë e vjetër gjysmë e shkatërruar po ndryshket pranë një muri guri. Pamjet me dron treguan ndërtesat e braktisura.