75 Mall Live Search
11:20 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / MSH

Del në ankand fanella e grisur e Maradonës

Një nga fanellat më të rralla dhe më historike të Diego Armando Maradonës do të dalë në ankand në Buenos Aires, me një çmim fillestar prej 30 mijë eurosh.

Bëhet fjalë për fanellën që legjenda argjentinase e veshi gjatë finales së Kupës së Mbretit midis Barcelonës dhe Athletic Bilbaos – ndeshje që u bë e famshme për përleshjen e ashpër në fushë, në të cilën mori pjesë edhe vetë “Pibe de Oro”.

Kjo ishte një nga paraqitjet e fundit të Maradonës me fanellën e Barcelonës, përpara se të transferohej te Napoli vetëm pak javë më vonë, shkruan RTK-ja.

Në ankand do të prezantohen disa objekte të tjera personale të Maradonës, përfshirë vathët që ai mbante në ndeshjen e fundit me Boca Juniors dhe dy fanella origjinale të Napolit nga sezoni 1989/1990.

Por pjesa kulmore e koleksionit është pikërisht fanella e grisur nga përleshja në “Santiago Bernabeu”, e zhvilluar përpara syve të familjes mbretërore spanjolle.

Zbulimin e këtij suveniri të çmuar e ka treguar Yael Rodriguez, një nga organizatorët e ankandit.

“Pas ndeshjes, personi përgjegjës për larjen e fanellave të Barcelonës e vuri mënjanë sepse ishte grisur dhe e mori në shtëpi pasi e pastroi. Më vonë ia dhuroi një shoku të djalit të tij, që ishte tifoz i Barcelonës”, shpjegoi Rodriguez.

Pas gati katër dekadash, fanella u gjet sërish dhe autenticiteti i saj u konfirmua pas një analize të kujdesshme të ngjyrave dhe grisjeve.

“Ne fluturuam nga Buenos Aires në Barcelonë për ta marrë fanellën, dhe rastësisht ndodhëm në Camp Nou pikërisht kur Barcelona po prezantonte lojtarin e ri, Marcus Rashford. Presidenti Joan Laporta e njohu fanellën menjëherë dhe pranoi të pozonte me të”, përfundoi Rodriguez.

Ky objekt unik pritet të ngjallë interesim të madh nga koleksionistët dhe adhuruesit e Maradonës në mbarë botën.