75 Mall Live Search
16:14 / E Mërkurë, 06 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Delawie: Shtrirja e qasjes në drejtësi është aktivitet kundër korrupsionit

Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, ka vlerësuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës në muajt e fundit ka arritur një integrim të rëndësishëm në veri duke shtrirë qasjen për të gjithë qytetarët.

E sipas tij, shtrirja e qasjes në drejtësi në vetvete është aktivitet kundër korrupsionit.Por, ky sipas të parit të ambasadës Amerikane nuk është përparimi i vetëm i kohëve të fundit që KGJK e ka arritur, ai tha se gjykatat e kanë shtuar numrin e vendimeve të publikuara prej 85 në tre mijë gjatë gjashtë muajve të fundit dhe kjo  sipas tij ndihmon në ndërtimin e transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.

Ai tha se KGJK po ashtu ka rifilluar vlerësimin e performancës së gjykatësve dhe tash sfida është që këto vlerësime të kenë kuptim dhe pasoja të njëmendëta ashtu që gjyqtarët të mbahen vërtetë përgjegjës.

Misioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës sipas kryesuesit të këtij këshilli, Nehat Idrizi është krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur që ofron shërbime gjyqësore të paanshme për të gjitha palët dhe është funksional në të gjitha aspektet operacionale.

Po ashtu, ai tha se vizion i tyre është një sistem gjyqësor  që është i pavarur, i qasshëm për të gjithë, i paanshëm dhe efikas në punën e vet dhe i cili është në përputhje me standardet më të larta të integritetit profesionalizimit dhe transparencës.Kryesuesi i KGJK-së tregoi edhe katër prioritetet që do ta udhëheqin punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2018.

Ky aktivitet është organizuar nga Programi i Forcimit të Sistemit të Drejtësisë i USAID-it dhe KGJK-ja.