13:47 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Delegacioni i Kosovës nesër në Kizhevak, deklarohen para mediave me përfaqësuesin serb

Në vendin ku po dyshohet se janë mbetjet mortore të 17 kosovarëve të vrarë në luftën e Kosovës nesër do të qëndrojë koordinatori i delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli.

Në këtë lokacion siç thuhet në njoftimin e Qeverisë do të jetë edhe kryetari i delegacionit të Serbisë, Veljko Odaloviq.

Aty ndërkaq do të mbahet edhe një konferencë shtypi, thuhet në njoftim.

“Nesër më 04 dhjetor 2020, në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, kryetari i delegacionit të Kosovës, z. Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë z. Veljko Odaloviq, do të mbajnë një konferencë shtypi”, thuhet në njoftim.

Për këtë çështje ka shkruar pak ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998 – ’99 në Kosovë, përkatësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të delegacionit të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit, në përputhje me praktikat midis dy delegacioneve”, kishte thënë Hoti.