75 Mall Live Search
14:31 / E Premte, 28 Qershor 2019 / indeksADMonline

Delegacioni i BE-së ka një apel për zgjedhjet në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka bërë thirrje që gjatë procesit të votimit këtë të dielë më 30 qershor, qytetarët të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Përmes një deklarate të lëshuar për mediat, përfaqësia e BE-së  thekson se gjithë aktorët politikë duhe të sigurojnë që votimet të mos pengohen.

Më tej, palëve  politike u apelohet që të ulen në dialog dhe të shmangin retorikën nxitëse, me qëllim kapërcimin e krizës aktuale dhe për konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në rrugën e integrimit.

Deklarata e plotë:

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimin që do të bëhet më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e qetë dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhet të mbahen këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm ose ndonjë formë nxitjeje për dhunën është absolutisht e papranueshme në asnjë rrethanë. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën nxitëse. Procesi i votimit do të monitorohet nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE / ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që të përqëndrohen përpjekjet e tyre në ruajtjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformës në rrugën e saj të integrimit në BE.