21:03 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

Delegacioni i Serbisë lëshon sallën në momentin kur Kosova merr fjalën

Kosova sot ka marrë pjesë në takimin për normalizimin e aviacionit në Ballkan i cili është mbajtur në NATO.

Kjo nuk i ka pëlqyer fare delegacionit të Serbisë, pasi që ata kanë lëshuar sallën në momentin kur kanë filluar diskutimet zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Burim Ramadani, dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha, shkruan Indeksonline.

Lëshimin  e sallës nga shef i delegacionit të Serbisë Pedrag Bandic, e ka bërë të dituar për Indeksonline zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani i cili ka shprehur keqardhje për sjelljen e Serbisë.

“Shpreh keqardhjen time dhe të delegacionit të Kosovës për largimin nga salla e takimit të përfaqësuesit të Serbisë. Jam i sigurt që Kosova ka përfaqësuar veten në formë konstruktive” ka thënë Ramadani.

Tutje Ramadani është shprehur se janë  konstruktiv dhe të vendosur për bashkëpunim rajonal,  në bashkëpunim me NATO-n.

“Kosova është plotësisht e vullnetshme për të punuar me NATO-n dhe KFOR-in në kornizën kohore të dakorduar, në mënyrë që të përfundojmë situatën e deritashme të paarsyeshme’ është shprehur  Ramadani.

Takimi në NATO ka qenë takim rajonal dhe është mbajtur për të qartësuam pozicionin e Kosovës për hapjen e hapësirës së ulët ajrore, duke funksionalizuar kështu zgjidhje për uljen e kostos së çmimeve të biletave të fluturimit për qytetarët tanë./Indeksonline/