Dëm prej 9 mijë eurosh nga dy vjedhje në Pejë, policia kap me sukses të dyshuarit

Dy raste të ndara të vjedhjes me një vlerë totale të dëmit të shkaktuar prej 9,000 euro, janë trajtuar me sukses nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
Rasti i parë është raportuar më 30 gusht 2025 në rrugën “Emrush Miftari”, ku është vjedhur një biçikletë në vlerë prej 5,000 eurosh. Hetuesit e stacionit policor në Pejë, pas një pune intensive, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin ku me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, më 31 gusht 2025, policia po ashtu ka pranuar një tjetër rast në rrugën “Ramë Lajqi”, ku është vjedhur një motoçikletë me vlerë prej 4,000 eurosh. Edhe në këtë situatë, hetuesit kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i cili rezulton të jetë i mitur. Pas intervistimit në prani të avokatit dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, me vendim të prokurorit, i mituri është liruar në procedurë të rregullt.
Në të dy rastet, Policia ka arritur të kthejë pronën e vjedhur, biçikletën dhe motoçikletën tek pronarët e tyre legjitimë.
Policia e Pejës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të rasteve të tilla për ndërhyrje të shpejtë dhe efikase.