20:26 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

Demarkacioni: Behgjet Pacolli dhe Milan Radojiçiq, takime në rezidencën në Hajvali

Demarkacioni me Malin e Zi po bëhet i pakalueshëm edhe pas pajtimit të AAK-së dhe Nismës që të votojnë pro marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë.

Mospajtimi i Vetëvendosjes, dhe kushtet e Listës Serbe, po bëjnë të pamundshme sigurimin e 80 votave në Kuvend për ratifikimin e kësaj marrëveshje, e cila është kusht për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Burimet e TV Dukagjinit, bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli është duke zhvilluar takim me Milan Radojiçiq, në rezidencën e tij në Hajvali.

Sipas këtyre burimeve, në takim po bisedohet lidhur me mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për ta votuar Demarkacionin.

Radojiçiq apostrofohet si njëri i duhur për t’i bindur deputetët e Listës Serbe, që të ndryshojnë qëndrim lidhur me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Emri i Milan Radojiçiq është përmendur shumë me ngjarje në veri të Mitrovicës, e madje një gjë e tillë është bërë edhe me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanovic.

Ndërkaq, sot gjatë ditës, është raportuar se Lista Serbe po kërkon që të adaptohen kushtet e privatizimit të Trepçës dhe Brezovicës, në atë formë që t’u jepej mundësi kontrolli serbëve.

Serbët pretendojnë që të fusin nën kontroll të dy këta gjigantë të ekonomisë kosovare.