08:34 / E Diele, 13 Nëntor 2022 / Gj. Sh

Demokratët prijnë në Senatin amerikan pas fitores në Nevada

Demokratët do kenë kontrollin e shumicës së Senatit amerikan pasi fituan një garë të rëndësishme në shtetin e Nevadës.

Senatorja Catherine Cortez Masto parashikohet të mposhtë sfiduesin republikan Adam Laxalt, i cili u mbështet nga ish-presidenti, Donald Trump.

Udhëheqësi i shumicës demokratike në Senat, Chuck Schumer, tha se rezultatet treguan se populli amerikan kishte hedhur poshtë atë që ai e quajti “retorikë të dhunshme” të Partisë Republikane.

Demokratët do të kenë tani 50 vende në Senat, ndërsa republikanët aktualisht me 49.

Gjeorgjia do të kalojë në balotazh në dhjetor. Në rast se Senati ndahet në mënyrë të barabartë midis dy partive, zëvendëspresidentja Kamala Harris e ka votën vendimtare.

Republikanët ende mund të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së pasi votat vazhdojnë të numërohen nga një pjesë e vogël e zonave pas zgjedhjeve të së martës.

Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ata mund të pengojnë një pjesë të madhe të agjendës së Biden.