75 Mall Live Search
12:52 / E Shtunë, 29 Qershor 2024 / Gj. Sh

Demokratët vlerësojnë 6 zëvendësues, Biden pranon disfatën: Nuk debatoj dot, por di të qeveris mirë

Joe Biden pranon humbjen përballë Donald Trump në debatin e mbajtur në arenën e CNN. Megjithatë konfirmon se nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Njerëz, më lejoni ta mbyll me këtë. E di që nuk jam një djalë i ri. Unë nuk eci aq mirë sa dikur. Nuk flas aq bukur siç kam bërë dikur. Unë nuk debatoj aq mirë sa dikur, por di të them të vërtetën. Unë bëj dallimin mes të gabuarës dhe të mirës. Di si ta bëjë këtë punë. Unë e di se si duhen bërë gjërat, ashtu siç e dinë miliona amerikanë”.

Biden shtoi se ka ndërmend që të fitojë Karolinën e Veriut në nëntor dhe nënvizoi se me atë shtet mund të shpallet president edhe për një tjetër mandat 4 vjeçar. Ndërkohë, raportohet se demokratët po shqyrtojnë mundësinë e zëvendësimit të kandidatit të tyre.

“Jam shumë i shqetësuar”, pranoi një demokrat i Kongresit për Wall Street Journal, duke shpresuar se “nuk është tepër vonë për ta zëvendësuar atë”.

Madje ka zëra se po vlerësohen 6 kandidatë të ndryshëm që mund të vijnë surprizë për të shpëtuar demokratët nga ajo që po konsiderohet një humbje e sigurt përballë Trump. Një nga hipotezat është Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, për të kaluar te guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ish- prokurorja Gretchen Whitmer, te guvernatori i Illinois, JB Pritzker, kreu i Mariland, Wes Moore, e deri te Michelle Obama, e cila paraqitet si figura më e besueshme dhe njeriu që mund ta rivalizojë denjësisht republikanin Trump.

Megjithatë, burime nga Shtëpia e Bardhë kanë konfirmuar për mediat ndërkombëtare se Biden do të marrë pjesë në debatin e dytë në shtator.

Sakaq, Barack Obama është rreshtuar në krah të presidentit aktual, duke thënë se ndodh që humb në debat, por kjo garë është mes një personi që mendon për njerëzit dhe një tjetri që mendon vetëm për veten. Trump ka vazhduar me sulmet ndaj Biden, teksa tha se pret që ta ketë atë përballë në zgjedhjet e nëntorit.