75 Mall Live Search
21:09 / E Hënë, 03 Mars 2025 / Gj. Sh

Dëmtimi i Mitajt shqetëson Sylvinhon, alternativa për krahun e majtë të mbrojtjes vjen nga Superiorja

Teksa vetëm dy javë na ndajnë nga grumbullimi i Kombëtares shqiptare për dy sfidat e para të Kualifikueseve të Botërorit 2026, Sylvinho ka nisur nga puna për përzgjedhjen e lojtarëve që do të jenë në dispozicion për takimet me Anglinë dhe Andorrën.

Lista e dëmtimeve është e gjatë, ku brenda saj ndodhet dhe Mario Mitaj, i cili nuk luan me Al-Ittihad që prej 1 shkurtit. Ende nuk dihet nëse 21-vjeçari do të arrijë të rikuperohet në kohë, kështu që tekniku brazilian ka filluar të mendojë për opsionet.

Përflitet se një alternativë vjen nga Superiorja. Bëhet fjalë për Naser Alijin, i cili ishte pjesë e Shqipërisë në Europianin “Gjermani 2024”, në të cilin nuk u aktivizua asnjë minutë.

Aliji është paraqitur mirë me Dinamo Cityn këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar dhe eksperienca e tij me Kombëtaren duket se është e mjaftueshme për Sylvinhon që t’i çojë një ftesë 31-vjeçarit.

Shqipëria do të ndeshet me Anglinë në “Wembley” më 21 mars dhe tre ditë më vonë do të presë Andorrën në Tiranë.