75 Mall Live Search
14:56 / E Mërkurë, 30 Prill 2025 / H F

Dëmtimi i veturës, Hajdari: Konsideroj se lidhet me punën time në QKUK, nuk kam asnjë problem personal

Një incident i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku vetura e ushtruesit të detyrës së drejtorit, Osman Hajdari, është dëmtuar si pasojë e një shpërthimi.

Pas ngjarjes, Hajdari mbajti një konferencë për media ku tha se nuk ka ndonjë konflikt personal me askënd, dhe dyshon se shpërthimi është i lidhur me angazhimin e tij profesional në krye të QKUK-së.

“Sot rreth orës 08:40 e lashë veturën në parking dhe vazhdova me punën time të përditshme. Pas një ore u informova se kishte ndodhur një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Kur dola për ta parë, konstatuam që ishte një mjet shpërthyes në makinën time,” deklaroi Hajdari.

Ai theksoi se gjatë jetës së tij private nuk ka pasur probleme, as në të kaluarën e as tani, duke e lidhur ngjarjen me punën dhe përpjekjet për të vendosur rend dhe disiplinë brenda institucionit shëndetësor që ai drejton.

“E konsideroj këtë akt si një reagim të grupeve të interesit që ndoshta janë të shqetësuar nga vendosmëria ime për të vënë rregull në QKUK,” shtoi Hajdari.

Policia e Kosovës është njoftuar për rastin dhe ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat dhe autorët e mundshëm të këtij incidenti serioz.