Dëmtohet gypi gjatë punimeve, lagjja “Dheu i Bardhë” në Gjilan katër ditë pa ujë
Banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” në Gjilan po përballen prej katër ditësh me mungesë të ujit të pijshëm, si pasojë e dëmtimit të një gypi të ujësjellësit gjatë punimeve në infrastrukturën nëntokësore.
Sipas banorëve, gypi është dëmtuar nga një operator ekonomik që po realizon punime në këtë zonë, çka ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë që nga dita e mërkurë.

Labinot Miftari, banor i lagjes, ka deklaruar për IndeksOnline se rreth 20 shtëpi kanë mbetur pa ujë tash e katër ditë.
“Jemi rreth 20 shtëpi që prej të mërkurës jemi pa ujë. Nuk kemi ujë as për higjienë, ndërsa për pije po furnizohemi sa po mundemi me shishe dhe bidona”, është shprehur ai.

Sipas tij, përveç një njoftimi nga kompania e ujësjellësit se ndërprerja ka ndodhur për shkak të dëmtimit të gypit, nuk është vërejtur ndonjë ndërhyrje konkrete në terren për sanimin e problemit.

Ndërkaq, në një njoftim të mëhershëm, KRU Hidromorava ka bërë të ditur se ekipet janë duke punuar në sanimin e gypit të dëmtuar, por pa specifikuar një afat të saktë se kur pritet të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë në këtë lagje. /IndeksOnline/



