Dëmtohet Kisha Ortodokse në Shipashnicë

Kisha Ortodokse në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicë është dëmtuar sot, rast të cilin e ka dënuar kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
“Sot në Shipashnicë të Poshtme, është dëmtuar Kisha Ortodokse, duke shkatërruar hapësirat e brendshme të saj. Veprime të tilla vandale janë të papranueshme”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot në Shipashnicë të Poshtme, është dëmtuar Kisha Ortodokse, duke shkatërruar hapësirat e brendshme të saj. Veprime të tilla vandale janë të papranueshme. Besimi në Zot, praktikimi i fesë janë çështje shumë personale dhe e drejtë për ta ushtruar pa cënim apo rrezikim. Është vlerë e shoqërisë tonë që ta kultivojmë tolerancën, respektin dhe emancipimin në mënyrë që prosperiteti të mos mbetet shenjues i zbrazët.
Praktikimi i fesë është e drejtë thelbësore e garantuar me ligj. Ne duhet të jemi të hapur ndaj besimeve të ndryshme në shoqërinë tonë sepse ky është parakusht i barazisë.
Si institucione e kemi për detyrë të kujdesemi që secili t’i ushtrojë të drejtat elementare pa dallim të fesë, etnisë e vendbanimit.
Huliganizmi ndaj objekteve fetare është i papranueshëm. Është e rëndësisë vitale që komunitetet e ndryshme të gjejnë të përbashkëtat e tyre në vend se të ndahen nga dallimet e presupozuara që mund t’i kenë.
