Dënim me 4 vjet e 6 muaj burgim për tentativë vrasjeje, në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar nga Prokuroria Themelore për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve, vepra të parashikuara nga Kodi penal i Republikës së Kosovës.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Drilon Haraçi, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e shpalli të pandehurin fajtor, duke i shqiptuar dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc të Gjakovës. I pandehuri P.B., pas një konflikti të vazhdueshëm pronësor me të dëmtuarin GJ.B., kishte tentuar t’ia merrte jetën. Gjatë një fjalosjeje pranë rrethojës së oborrit, ai kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë ndaj të dëmtuarit nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa ky po largohej me vrap.
I dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat kishte qenë i nevojshëm intervenim kirurgjik.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij në formë të shkruar./IndeksOnline/

