Dënim me burg për Ferid Aganin dhe Gani Shabanin
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve Ferid Agani dhe Gani Shabani për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, në bashkëkryerje nga neni 422 par.1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur më nenin 31 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
I akuzuari Ferid Agani është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj ndërsa i akuzuari Gani Shabani është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve.
Gjykata ka vërtetuar se i akuzuari Ferid Agani në cilësinë e ish Ministrit të Shëndetësisë dhe Gani Shabani në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me qëllim të sigurimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjerët.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civilë.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.