Dënimi i Ademit alarmon UEFA-n, i kërkon dëshminë e pafajësisë kryetarit të FFK-së
Dënimet e dhëna nga Gjykata për kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kanë alarmuar edhe shtëpinë më të madhe të futbollit në Europë, UEFA-n.
Sipas informatave që ka SuperSport, Komiteti i Etikës në UEFA i ka kërkuar zotit Ademi që të dërgojë dëshmi për pafajësinë e tij, diçka që nuk ka arritur të bëjë, duke qenë se procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon me lëndën që aktualisht gjendet në Gjykatën Supreme, përderisa, paraprakisht, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar dënimin e tij me 9 muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm.
Ademit i është shtyrë vuajtja e dënimit me burg nga Gjykata me arsyetimin e gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.
Sidoqoftë, UEFA tashmë ka humbur durimin dhe ka disa ditë që Komiteti i Etikës dhe organi më i lartë i futbollit europian Agim Ademin nuk e njeh si kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës.